Një gjykatë në qytetin Changzhou të Kinës ka dënuar me vdekje ish-zyrtarin e lartë Yang Youlin, pasi u shpall fajtor për një nga rastet më të mëdha të korrupsionit në vend.

Sipas autoriteteve, 69-vjeçari ka përfituar ryshfet me vlerë mbi 2.2 miliardë juanë (rreth 325 milionë dollarë) gjatë periudhës 1993–2023, duke shfrytëzuar funksionet e tij në administratën e qytetit të Nanjingut. Në këmbim të përfitimeve financiare dhe sendeve me vlerë, ai favorizoi individë dhe kompani në dhënien e kontratave të ndërtimit, transferimin e tokave dhe sigurimin e financimeve.

Përveç akuzës për ryshfet, Yang u shpall fajtor edhe për përvetësim, abuzim me detyrën dhe pastrim parash.

Gjykata e cilësoi çështjen si “jashtëzakonisht serioze”, duke theksuar se veprimet e tij kanë dëmtuar rëndë interesat e shtetit dhe të publikut. Edhe pse ai pranoi fajësinë, bashkëpunoi me hetuesit dhe shfaqi pendesë, trupi gjykues vendosi se pesha e veprave penale nuk justifikonte uljen e dënimit.

Hetimi ndaj Yang Youlin u zhvillua në kuadër të fushatës kombëtare kundër korrupsionit të nisur nga presidenti Xi Jinping, e cila prej vitesh ka vënë në shënjestër zyrtarë të lartë shtetërorë, drejtues institucionesh financiare dhe pjesëtarë të ushtrisë.

Në Kinë, dënimet me vdekje për korrupsion janë të pazakonta, por mund të jepen në raste që përfshijnë shuma të jashtëzakonshme ryshfeti ose përvetësimi.