Dabia Benkired, 27 vjeçe, u paraqit para gjykatës duke kërkuar falje për vrasjen e 12-vjeçares Lola Davier në tetor 2022 një rast që tronditi Francën dhe nxiti debat publik mbi sigurinë dhe shëndetin mendor. Në dëshminë e saj, e reja nga Algjeria rrëfeu se një ditë para ngjarjes kishte pasur një përplasje me ish-partnerin dhe se, për të “shfryrë” zemërimin, vendosi t’i shkaktonte dëm dikujt.

Sipas deklaratave në sallën e gjyqit, Benkired tha se ndërsa po kalonte pranë, takoi Lolën dhe e ftoi që t’i hapte derën e pallatit, pasi ajo nuk kishte kartelë hyrjeje. Vogëlushja pranoi t’i ndihmonte me valixhet dhe më pas e shoqëroi deri në ashensor momentin kur sipas të akuzuarës “mori vendimin” të sulmonte.

Gjatë rrëfimit të saj, e akuzuara pranoi se e kishte abuzuar seksualisht dhe më pas e kishte sulmuar me mjet të mprehtë. Prokuroria citon se viktima pësoi dëmtime të shumta; Benkired ka rrëfyer gjithashtu se shkroi shenja mbi trupin e vajzës. Në disa deklarime ajo përshkroi veprime dhe motive që dëshmuan një gjendje pandjeshmërie dhe një sjellje të ftohtë ndaj viktimës, çka ka tronditur dëgjuesit dhe familjen e të miturës.

Hetimet zbuluan gjithashtu se disa ditë para ngjarjes e akuzuara kishte bërë kërkime në internet lidhur me magji, dhe ajo përmendi përpara gjykatës se gjatë incidentit kishte parë diçka që e trembi — shpjegime që hetuesit po i verifikojnë si pjesë të hetimit të gjërë.

Rasti i Lola Davier tërhoqi vëmendjen kombëtare të Francës, për shkak të mosmëshirës së aktit dhe moshës së viktimës. Familjarët dhe publiku kërkuan shpjegime për motivet dhe gjendjen psikologjike të autorit, ndërsa procesi gjyqësor vijon dhe autoritetet po sqarojnë të gjitha rrethanat që çuan në këtë krim tragjik.

Familja e viktimës ka kërkuar privatësi dhe respekt gjatë procedurave ligjore. Gjykimi vazhdon dhe prokuroria pritet të paraqesë provat e saj më tej në seancat që pasojnë.