Zhdukja e një gruaje italiane në New York ka ngritur pikëpyetje dhe ka vënë në lëvizje autoritetet në të dy anët e Atlantikut. Bëhet fjalë për Elisabetta Tye Ferretto, 50 vjeçe, e cila rezulton e zhdukur që prej kthimit të saj në SHBA më 22 prill.

Sipas familjarëve, Ferretto kishte udhëtuar në fillim të muajit prill drejt rajonit Veneto në Itali për të vizituar prindërit dhe vëllain. Pas rikthimit në Manhattan, kontaktet e saj të përditshme u ndërprenë papritur, ndërsa telefonatat mbetën pa përgjigje dhe llogaritë në rrjetet sociale rezultojnë të mbyllura.

Rasti është denoncuar nga familja në prokurorinë e Rovigos, ndërsa çështja është përcjellë edhe pranë Ministrisë së Jashtme italiane, e cila ka aktivizuar kanalet diplomatike me autoritetet amerikane. Ndërkohë, në SHBA kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të zhdukjes, por deri tani nuk ka gjurmë të saj.

Ferretto jetonte në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2001, ku fillimisht ishte angazhuar në industrinë e modës dhe më pas në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Emri i saj u bë publik në vitin 2019, kur ajo foli për një takim të dyshuar me Jeffrey Epstein, duke pretenduar se ishte njohur me të në vitin 2004 përmes një agjenti mode. Zhdukja e saj tashmë ka shtuar dyshimet dhe interesin e autoriteteve, ndërsa hetimet vijojnë.