Kreu i operatorit global të porteve DP World, Sultan Ahmed bin Sulayem, ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit dhe drejtorit ekzekutiv, pas presionit të shtuar lidhur me komunikimet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein.

Vendimi vjen pas publikimit të dokumenteve që zbulojnë shkëmbimin e qindra email-eve mes Sulayem dhe Epstein gjatë një periudhe rreth dhjetëvjeçare, duke nisur nga viti 2007. Sipas analizës së korrespondencës, ata diskutonin për udhëtime, projekte biznesi, çështje personale dhe prezantime me figura të njohura ndërkombëtare. Në një mesazh të vitit 2013, Epstein e përshkruante Sulayem si një nga miqtë e tij më të besuar.

Në një njoftim zyrtar, DP World bëri të ditur se Essa Kazim është emëruar kryetar i ri i kompanisë, ndërsa Yuvraj Narayan do të marrë detyrën e drejtorit ekzekutiv.

Sipas raportimeve të BBC, publikimi i dokumenteve ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga investitorë dhe institucione financiare. Agjencia britanike e financimit për zhvillim dhe fondi kanadez i pensioneve La Caisse kanë pezulluar investimet e reja në kompani. Po ashtu, projekti mjedisor Earthshot i Princit të Uellsit është raportuar në Komisionin e Bamirësisë në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të financimeve të marra nga DP World.

Në Shtetet e Bashkuara, kongresmenët Ro Khanna dhe Thomas Massie kanë kërkuar më shumë transparencë lidhur me dokumentet e publikuara, duke përmendur emrin e Sulayem mes figurave të lidhura me Epstein.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se Epstein e kishte prezantuar Sulayem me figura të njohura politike dhe të biznesit, përfshirë ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe ish-strategun amerikan Steve Bannon. Gjithashtu, emailet sugjerojnë se Epstein kishte ndërmjetësuar komunikime mes Sulayem dhe politikanit britanik Peter Mandelson për projekte në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa nuk ka prova për ndonjë shkelje nga ana e këtij të fundit.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar presionin mbi kompaninë dhe kanë hapur debat mbi ndikimin e lidhjeve të mëparshme të Epstein në qarqet ndërkombëtare të biznesit dhe politikës.