Një rast i dyshuar me Ebola është regjistruar në Cagliari. Një italian me origjinë nga Kongo, i kthyer pak ditë më parë nga Republika Demokratike e Kongos, është shtruar në repartin e sëmundjeve infektive të spitalit Santissima Trinità. Rreth banesës së tij, në rrugën Manno, në qendër të qytetit, është vendosur një kordon sanitar: disa ndërtesa janë izoluar, rruga është mbyllur për qarkullimin dhe është rrethuar me barriera, ndërsa mjekë dhe infermierë të ambulancave të specializuara të shërbimit 118 e kanë transportuar nga shtëpia e tij.

Disa kalimtarë, të larguar menjëherë nga zona, kanë treguar se ndërhyrja e personelit shëndetësor, i pajisur me kostume të bardha mbrojtëse dhe maska, zgjati më shumë se gjysmë ore. Nuk janë bërë publike të dhënat personale të pacientit; dihet vetëm se ai kishte udhëtuar muajin e kaluar për të vizituar familjen e tij në Kongo, vend që, së bashku me Ugandën, është ndër më të prekurit nga epidemia dhe ishte kthyer në Cagliari pak ditë më parë me një fluturim që kishte bërë ndalesë në një aeroport të gadishullit.

Simptomat e para i kishte ndier javën e kaluar (temperaturë, dhimbje koke dhe të përziera), por me gjasë kishte menduar se bëhej fjalë për një grip të zakonshëm. Në orët e fundit ai kishte shfaqur edhe vështirësi në frymëmarrje. Alarmimi në spitalin Santissima Trinità u bë nga një mjek. Menjëherë pas shtrimit u kryen analizat e para të gjakut dhe testet serologjike për të realizuar ekzaminimet molekulare dhe antigjenike. Gjithashtu u mblodhën informacione mbi kontaktet që ai kishte pasur pas mbërritjes në Cagliari, në mënyrë që të zbatoheshin menjëherë masat e parandalimit, mbrojtjes dhe profilaksisë të parashikuara nga protokollet shëndetësore.

Pas shtrimit u hap gjithashtu një linjë komunikimi me spitalin Istituto Nazionale per le Malattie Infettive Lazzaro Spallanzani në Romë, i cili, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të analizojë mostrat e gjakut të dërguara me procedurë urgjente me avion. Instituti do të duhet të identifikojë virusin dhe veçanërisht të përcaktojë se cilit nga tre variantet që qarkullojnë aktualisht në Afrikë i përket ose të konfirmojë mungesën e infeksionit.

Një rezultat negativ i ngjashëm u dha ditët e fundit për një mjeke vullnetare të Mjekëve Pa Kufij, e kthyer në Itali nga një vend i Afrikës Qendrore me simptoma të ngjashme me ato të pacientit të shtruar në Cagliari./Corriere della Sera