Një 32-vjeçare nga Guatemala, nënë e katër fëmijëve, u qëllua për vdekje në mënyrë tragjike pasi mori adresën e gabuar për shtëpinë që do të pastronte me bashkëshortin e saj në Indiana të SHBA-së. Incidenti tragjik ndodhi pak para orës 7 të mëngjesit të mërkurën, kur Maria Florinda Rios Perez dhe bashkëshorti i saj, Mauricio Velasquez, mbërritën në një shtëpi në qytetin e Whitestown, të cilën ishin punësuar për ta pastruar.

Para se të mbërrinin në shtëpi, çifti e kontrolloi dy herë adresën dhe udhëtoi me makinë nëpër lagje për t’u siguruar që ishin në vendin e duhur, raportuan mediat lokale.

Por, ndërsa po përpiqeshin të fusnin çelësat që u ishin dhënë në derë dhe 32-vjeçarja ia mori çelësin nga duart burrit të saj, u dëgjua një e shtënë dhe gruaja ra në tokë, e mbuluar me gjak.

“Ajo as nuk e kishte futur çelësin kur dëgjova të shtënën. E pashë gruan time të bënte dy hapa prapa dhe pastaj çelësat ranë. Pastaj ajo ra dhe unë shkova ta kapja. Po përpiqesha ta ngushëlloja dhe t’i thoja se gjithçka do të ishte në rregull, por mund ta shihja gjakun që rridhte”, përshkroi burri i saj.

Në të njëjtën kohë, u bë një telefonatë në 911 (veprim i menjëhershëm në SHBA) për një grabitje në shtëpinë ku ndodhej çifti.

Policia ka hedhur poshtë çdo sugjerim se çifti ishte përpjekur të hynte me forcë në shtëpi dhe ka konfirmuar se ata në fakt kishin përshtypjen se po hynin në një shtëpi që ishin punësuar për ta pastruar.

“Provat e mbledhura nuk mbështesin faktin se ka ndodhur një vjedhje banese”, tha policia lokale.

Hetimi për rastin është duke vazhduar pa arrestime, me bashkëshortin e 32-vjeçares që kërkon drejtësi për vdekjen e saj.

Për mua, ajo ishte dashuria e jetës sime. Ishte një grua e mirë dhe një nënë e mirë”, tha ai për 32-vjeçaren, e cila la pas tre vajza, të moshës 17, 10 dhe 8 vjeç, dhe një djalë që është gati një vjeç.