Një 14-vjeçar pothuajse humbi këmbën pasi e preu duke u hedhur në një liqen dhe më pas u infektua me një sëmundje të rrallë që “ha mishin”.
Nxënësi Jacob Butler po përpiqej të freskohej gjatë valës së të nxehtit në një liqen me miqtë e tij, kur në një aksident të tmerrshëm ai e gërvishti këmbën e djathtë në një copë teli.
Mediat e huaja shkruajnë se, ai po lahej në një liqen në Colliers Moss Park, pranë Burtonwood në Cheshire, kur e preu këmbën deri në kockë, pak poshtë gjurit. Plaga e rëndë më vonë u infektua me një sëmundje të rrallë që “ha mishin”, e quajtur fasciit nekrotizues, e cila mund të jetë kërcënuese për jetën.
Ai telefonoi babain e tij, Ashley Butler, 37 vjeç, më 30 prill, duke i thënë se kishte pasur një “aksident” dhe se ishte “shumë keq”.
Për fat, një peshkatar aty pranë i lidhi një bluzë rreth këmbës së Jacob-it për të ndalur gjakderdhjen, diçka që më vonë nëna e tij tha se i kishte shpëtuar jetën dhe këmbën.
Mjekët e urgjencës u thirrën menjëherë në vendngjarje dhe adoleshenti u transportua me helikopter në Alder Hey Children’s Hospital. Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent të nesërmen në mëngjes për të hequr shenjat e infeksionit dhe për t’i qepur sërish këmbën.
Më pas, më 13 maj, nëna e tij, Rebecca Butler, vuri re se këmba e tij kishte një erë si “mish i kalbur” dhe e çoi përsëri në urgjencë. Ajo shtoi: “Ishte si era e vdekjes, ishte e tmerrshme.”




