Italia ka dhënë miratimin përfundimtar për ndërtimin e urës së varur më të gjatë në botë, që do të lidhë Sicilinë me pjesën tjetër të vendit, pavarësisht shqetësimeve për tërmete, ndikimin mjedisor dhe rrezikun e përfshirjes së mafias.
Komiteti ndërministror për investime strategjike miratoi projektin 13.5 miliardë euro, bëri të ditur Ministria e Transportit. Ministri Matteo Salvini e quajti projektin “një përshpejtues zhvillimi” për jugun e Italisë. Punimet paraprake mund të nisin këtë verë dhe ndërtimi vitin e ardhshëm, me përfundim të planifikuar në vitin 2033.
Ura mbi Ngushticën e Mesinës është miratuar dhe anuluar disa herë që nga 1969, së fundi e rikthyer nga qeveria e Giorgia Melonit në vitin 2023. “Nuk është punë e lehtë, por është një investim për të tashmen dhe të ardhmen e Italisë”, tha Meloni, duke e quajtur “një infrastrukturë strategjike” për zhvillimin e jugut dhe të vendit. Ideja për ta lidhur Sicilinë me tokën daton që nga Roma e lashtë. Për Salvini-n, ky do të jetë “një revolucion” që do të sjellë vende pune dhe rritje ekonomike.
Ura do të jetë gati 3.7 km, me pjesën pezull 3.3 km, duke tejkaluar urën Çanakkale të Turqisë. Me katër korsi rrugore dhe dy linja hekurudhore, do të ketë kapacitet për 6,000 makina në orë dhe 200 trena në ditë.
Qeveria planifikon ta klasifikojë si infrastrukturë të sigurisë, pjesë e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes, duke e konsideruar një korridor strategjik për NATO-n.
Mbi 600 akademikë kanë kundërshtuar këtë klasifikim, duke kërkuar vlerësime shtesë për qëndrueshmërinë në përdorim ushtarak.
Grupet mjedisore kanë paraqitur ankesa në BE, duke paralajmëruar për ndikim te shpendët migratorë dhe mungesë provash se dëmet mjedisore do të kompensohen.
Dekreti fillestar i jepte Ministrisë së Brendshme kontroll mbi masat anti-mafia, por Presidenti Sergio Mattarella këmbënguli që projekti të mbetet nën ligjin kombëtar anti-mafia për të gjitha projektet madhore.
Projekti i është dhënë konsorciumit të udhëhequr nga WeBuild, që fitoi tenderin në 2006, por u anulua në 2013. Ura Çanakkale, e hapur në 2022 dhe ndërtuar nga WeBuild, u bazua në modelin e Mesinës, me profil aerodinamik që lejon kalimin e erës.
Ndërsa zona ndodhet mbi një të çarë sizmike, WeBuild thekson se urat e varura janë më pak të prekshme nga forcat sizmike dhe se të ngjashme janë ndërtuar në Japoni, Turqi dhe Kaliforni. /MONITOR
