Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, deklaroi të martën se Roma ka vendosur të zgjasë edhe me 15 ditë kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Në një njoftim drejtuar Komisionit Evropian dhe ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, Piantedosi tha se vazhdimi i kontrolleve është i nevojshëm për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të infiltrimit të elementëve terroristë.
Vendimi u mor pas një vlerësimi të situatës nga Komiteti për Analizën e Imigracionit dhe Sigurisë Kufitare, i cili zhvilloi një mbledhje të martën, bëri të ditur Ministria e Brendshme italiane.
Ndërkohë, edhe Spanja ka vendosur të vazhdojë kontrollet ndaj udhëtarëve që mbërrijnë nga Italia nëpërmjet porteve dhe aeroporteve.
Sipas agjencisë spanjolle EFE, duke iu referuar burimeve të Ministrisë së Brendshme, këto masa do të jenë në fuqi deri më 8 tetor.
Spanja i kishte rikthyer kontrollet më 8 gusht, si kundërpërgjigje ndaj masave të ndërmarra nga Italia. Fillimisht, kontrollet ishin parashikuar të zgjasnin një muaj, ndërsa më pas u shtynë deri më 23 shtator.
Masat u vendosën fillimisht nga Italia pas krizës me emigrantëve në Ceuta, në eksklavën spanjolle në Afrikën e veriut, në fund të korrikut.
