Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi, është vrarë, njoftoi një burim i afërt me familjen Gaddafi për Al Arabiya. Sipas raportimeve, Saif al-Islam u qëllua nga katër sulmues në kopshtin e tij, dhe pas krimit, ata u larguan nga vendngjarja.

Vdekja e tij është konfirmuar edhe nga agjencia shtetërore libiane e lajmeve, LANA, që citon këshilltarin e tij, Abdallah Othman.

Saif al-Islam Gaddafi ishte parë prej kohësh si pasardhësi i babait të tij dhe një figurë kyçe për të rinovuar regjimin e Gaddafit nëse do të rikthehej në pushtet. Në vitin 2021, ai njoftoi publikisht se do të kandidonte për president në zgjedhjet që ishin parashikuar, por ato u shtynë për një afat të pacaktuar, duke e lënë të pasigurt mundësinë e një rikthimi të tij në politikën libiane.

Vrasja e Saif al-Islamit vjen në një periudhë të pasigurisë të thellë në Libi, e cila është ende duke u përpjekur të gjejë stabilitet pas rënies së regjimit të Gaddafit në vitin 2011 dhe luftës civile që ka pasuar.