Departamenti amerikan i Drejtësisë ka pranuar se një draft i brendshëm i komunikatës për vdekjen e Jeffrey Epstein në vitin 2019 përmbante një datë të gabuar, gjë që më pas ushqeu teori konspirative.

Sipas BBC Verify, dokumenti paraprak mbante datën 9 gusht 2019, ndërsa Epstein në fakt vdiq më 10 gusht 2019 në paraburgim. Drafti qarkulloi vetëm brenda institucionit dhe u bë publik pas hapjes së faqeve të reja nga dosja hetimore.

Në versionin e përkohshëm thuhej se Epstein ishte “gjetur pa ndjenja në qelinë e tij” në Metropolitan Correctional Center në New York dhe ishte planifikuar për publikim “të premten, 9 gusht 2019”.

Megjithatë, dokumente zyrtare – përfshirë raportin e deklasifikuar të FBI-së, autopsinë, dosjet e burgut dhe fotografitë – konfirmojnë se ai u gjet i vdekur të shtunën, më 10 gusht 2019.

Departamenti i Drejtësisë sqaroi se data e gabuar ishte thjesht një lapsus në draftin fillestar dhe u korrigjua përpara publikimit zyrtar. Institucioni mohoi kategorikisht pretendimet se një deklaratë ishte përgatitur para vdekjes së Epsteinit.

Pavarësisht këtij sqarimi, gabimi ka nxitur teori konspirative në internet, përfshirë pretendime të rreme se Epstein është ende gjallë, imazhe të krijuara nga inteligjenca artificiale që e vendosin atë në Izrael, apo deklarata të pavërteta se ai kishte qenë aktiv në lojën online Fortnite pas vdekjes së tij.