Sipas zyrtarit serb, promovimi i abetares së përbashkët është mesazh i qartë se ende ekziston ideja e Shqipërisë së Madhe


Oliver Ivanoviç, sekretari shtetëror në ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, e ka konsideruar promovimin e abetares së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, si një mesazh të qartë se ende ekziston fryma për Shqipëri të madhe.


“Kjo ide, e cila, të paktën në mënyrë deklarative, është e papranueshme për Evropën dhe botën, është edhe një pretendim serioz për territorin e Serbisë. Prandaj, ajo duhet të hasë në një reagim të fortë, jo vetëm të Beogradit”, ka thënë Ivanoviç për mediat serbe, duke shtuar se Serbia nuk është kundër bashkëpunimit kulturor të shqiptarëve, por, sipas tij, promovimi i abetares zbulon edhe prapavijën politike se “fryma për Shqipërinë e Madhe nuk është shuar”.


Promovimi i abetares së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës është bërë të enjten në Prizren, në praninë e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha ,atij të Kosovës, Hashim Thaçi, Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ministrave të arsimit të të dy vendeve dhe personalitete të tjera shtetërore.


Në fjalën e tij kryeministri Berisha u ka bërë thirrje fqinjëve që të heqin dorë nga shqiptaro-fobia, të cilën e ka quajtur mbeturinë të primitivizmit.


“Nga Prizreni,  dua tu themi fqinjëve tanë, çlirohuni nga shqiptaro-fobia, ajo është një mbeturinë e primitivizmit të trashëguar tuajin. Shqiptarët janë një komb që dinë të ruajnë dhe të mbajnë miqësira, por gaboheni rëndë në qoftë se vazhdoni të shfaqni shqiptaro-fobinë tuaj me skena si ato të Preshevës, të cilat faktojnë se jeni akoma shumë prej  jush në stadet primitive.


Abetarja është hapi i parë i madh në rrugën tonë, tekste të tjera, projekte të tjera, duhet të vazhdojnë me intensitet në mënyrë që energjia e kombit të njësuar të shtyjë kombin drejte hapësirave të reja”, tha Berisha gjatë promovimit të abetares së përbashkët, e cila do të shpërndahet nëpër të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës që prej vjeshtës së këtij viti.


19 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)