Izraeli po shqyrton hapat për të aneksuar territore në Bregun Perëndimor, ndërkohë që presioni ndërkombëtar për njohjen e një shteti palestinez po shtohet. Belgjika ka shpallur se do ta njohë zyrtarisht Palestinën “përballë tragjedisë humanitare në Gaza dhe shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare nga Izraeli”, deklaroi ministri i Jashtëm Maxime Prévot. Vendimi pritet të zyrtarizohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në mesin e shtatorit.
Lëvizjet ndërkombëtare
Deri më sot, mbi 140 vende e kanë njohur shtetin palestinez. Këtë muaj pritet që Franca, Australia, Kanadaja, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar t’i bashkohen listës, ndërsa Franca do të bëhet anëtarja e parë e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që e bën këtë hap. Pas njohjes, Parisi po shqyrton hapjen e një ambasade në Ramallah, ndërkohë që një ambasadë palestineze mund të hapet në Francë. Këshilltari politik Ofer Bronchtein thekson se krijimi i një shteti palestinez është edhe në interesin e Izraelit, duke argumentuar se një realitet i tillë do të kishte parandaluar sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023.
Plani i Netanyahut
Izraeli kontrollon Bregun Perëndimor që prej luftës së vitit 1967 dhe ka ngritur vendbanime hebraike në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Sipas CNN, kryeministri Netanyahu ka diskutuar mundësinë e aneksimit të Luginës së Jordanit, zonë strategjike përgjatë kufirit lindor të Bregut Perëndimor. Ndërsa një skenar më radikal, i mbështetur nga e djathta ekstreme dhe kolonët, synon aneksimin e të gjitha territoreve jo të banuara nga palestinezët.
Ky veprim do të izolonte komunitetet palestineze, duke e bërë pothuajse të pamundur një shtet të qëndrueshëm palestinez. Aneksimi do të përbënte shkelje të hapura të rezolutave të Këshillit të Sigurimit, përfshi rezolutën 2334 të vitit 2016, e cila e cilëson kolonizimin si ilegal.
Qëndrimi i SHBA-së dhe Arabisë Saudite
Sekretari i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar e ka informuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për planet e aneksimit, por nuk ka marrë miratim. SHBA-të kanë paralajmëruar se çdo hap i tillë do të përkeqësonte ndjeshëm situatën. Një opsion që shqyrton Netanyahu është një aneksim i pjesshëm dhe gradual, i cili do të mund të lidhej me përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve me Arabinë Saudite.
Në vitin 2020, Netanyahu hoqi dorë nga aneksimi në këmbim të marrëveshjeve të Abrahamit me Emiratet, Bahreinin dhe Marokun. Arabia Saudite, megjithatë, ka qenë e qartë: nuk do të ketë normalizim me Izraelin pa një rrugë konkrete drejt shtetësisë palestineze.
Ndërkohë, SHBA njoftoi të premten se do t’u mohojë vizat disa zyrtarëve të Autoritetit Palestinez që planifikojnë të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë muaj.