Izraeli ka deportuar të gjithë aktivistët e huaj që ndodheshin në bordin e flotës së ndihmës për Gazën, të kapur nga Marina izraelite teksa lundronin drejt enklavës palestineze.

Ngjarja ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, veçanërisht pas publikimit të një videoje ku aktivistët shfaqeshin të poshtëruar gjatë ndalimit të tyre.

Sipas raportimeve, rreth 430 anëtarë të Flotiljes Globale “Sumud”, e përbërë nga afro 50 anije, u ndaluan pranë Qipros të hënën nga forcat detare izraelite. Aktivistët u transferuan me forcë në Izrael dhe më pas u mbajtën në burgun Ketchiyot, në jug të vendit.

Grupi izraelit për të drejtat e njeriut “Adalah”, i cili u ofroi përfaqësim ligjor të ndaluarve, deklaroi se aktivistët fillimisht pritej të dilnin para gjykatës për procedurat e deportimit. Megjithatë, sipas zëdhënësit të organizatës, Moatasem Zeidan, autoritetet vendosën që deportimi të kryhej pa proces gjyqësor.

“ Ata të gjithë janë deportuar”, deklaroi më herët zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein, pa dhënë detaje nëse ndaj tyre ishte zhvilluar ndonjë procedurë ligjore.