Izraeli ka ndërmarrë një sulm ajror në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke synuar udhëheqësit politikë të Hamasit. Operacioni i përgjakshëm ka shkaktuar një stuhi reagimesh diplomatike në Lindjen e Mesme, pasi Katari është një nga ndërmjetësit kryesorë për arritjen e armëpushimit në Gaza.
Ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter, deklaroi për “Fox News” se edhe pse objektivi nuk u arrit, Izraeli nuk do të ndalet:
“Nëse nuk i kapëm këtë herë, do t’i kapim herën tjetër. Tani për tani, mund të jemi subjekt i pak kritikave. Ata do ta kalojnë këtë. Dhe Izraeli po ndryshon për mirë,” tha ai.
Sulmi ajror ndodhi pak pasi Hamasi mori përgjegjësinë për një atentat në një stacion autobusi në periferi të Jerusalemit, ku u vranë gjashtë persona.
Hamasi njoftoi se pesë anëtarë të tij u vranë, përfshirë djalin e kreut të organizatës në Gaza në mërgim dhe negociatorin kryesor Khalil al-Hayya. Nga ana e tij, Katari konfirmoi se një pjesëtar i forcave të sigurisë u vra në sulm, duke e cilësuar Izraelin si “të pabesë” dhe të angazhuar në terrorizëm shtetëror.
Operacioni u dënua gjerësisht, duke ngritur shqetësime se do të minojë përpjekjet për paqe. SHBA e përshkroi si një sulm të njëanshëm që nuk përparon interesat amerikane dhe izraelite.
Kriza ka shkaktuar një valë vizitash diplomatike në Doha. Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mbërriti të mërkurën në Katar. Po ashtu, Princ i Kurorës i Jordanisë, Hussein, pritet të vizitojë Katarin, ndërsa Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, do të mbërrijë në Doha të enjten, sipas burimeve të Reuters.