Qeveria izraelite është shprehur kundër përbërjes së bordit ekzekutiv të Gazës të ngritur nga administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump, me argumentin se nuk është i koordinuar me Izraelin dhe se është në kundërshtim me politikën e qeverisë.

Në deklaratë thuhet se ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Saar do ta ngrinte këtë çështje me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

Bordi, i zbuluar nga Shtëpia e Bardhë të premten, përfshin dhe Ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan. Izraeli ka kundërshtuar vazhdimisht çdo rol të Turqisë në Gaza.

Anëtarë të tjerë të bordit ekzekutiv përfshijnë Sigrid Kaag, koordinatoren speciale të OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme; një miliarder izraelito-qipriot; dhe një ministër nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat vendosën marrëdhënie me Izraelin në vitin 2020.

Uashingtoni këtë javë njoftoi gjithashtu fillimin e fazës së dytë të planit të Presidentit Donald Trump, të shpallur në shtator, për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Kjo përfshin krijimin e një administrate palestineze teknokratike kalimtare në enklavë.

U emëruan gjithashtu anëtarët e parë të të ashtuquajturit Bord i Paqes – që do të kryesohet nga Trump dhe do të ngarkohet me mbikëqyrjen e qeverisjes së përkohshme të Gazës. Anëtarët përfshijnë Rubion, zhvilluesin miliarder Steve Witkoff, dhëndrin e Trump, Jared Kushner dhe liderë nga vende të tjera, përmendim këtu dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.