Izraeli ka bërë të ditur se nuk do të ndalë ofensivën në Qytetin e Gazës, por në vend të kësaj do t’u japë civilëve mundësinë të largohen përmes një korridori të ri kalimi. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, deklaroi se “po hapet një rrugë e përkohshme transporti nëpërmjet kalimit Salah al-Din”, e cila do të qëndrojë e hapur për 48 orë, duke nisur nga mesnata e së enjtes.

Deri më tani, banorëve u ishte kërkuar të largoheshin përmes rrugës bregdetare drejt jugut, në zonat që Izraeli i ka shpallur “humanitare”, përfshirë Al-Mavasin. Rruga Salah al-Din është një nga arteriet kryesore që përshkon Rripin e Gazës nga veriu në jug. Sipas OKB-së, në Qytetin e Gazës dhe rrethina jetojnë rreth 1 milion njerëz.

Ushtria izraelite tha se operacioni tokësor, i nisur të martën, synon të shkatërrojë Hamasin në një prej bazave të tij kryesore. Bombardimet intensive që filluan një ditë më parë u pasuan nga futja e trupave izraelite më thellë në zemër të qytetit më të madh të Rripit të Gazës.

Ofensiva po zhvillohet në një moment kur një raport i Kombeve të Bashkuara akuzon Izraelin për “gjenocid” në territoret palestineze, duke përmendur kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë si përgjegjës për nxitjen e krimeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, mbi 64 mijë palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite – një shifër që OKB-ja e konsideron të besueshme.