Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një fjalimi të mbajtur së fundmi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, reagoi ashpër ndaj vendimit të disa vendeve perëndimore për të njohur shtetin e Palestinës. Ai e cilësoi këtë hap si “të turpshëm” dhe një “vetëvrasje kombëtare” për Izraelin, duke theksuar: “Është çmenduri e pastër dhe ne nuk do ta bëjmë”.

Në vijim të fjalimit, Netanyahu u ndal te ajo që ai e përshkroi si “boshti i terrorit të Iranit”, duke renditur armiqtë kryesorë të Izraelit në rajon. Ai tha se Izraeli ka goditur rëndë Houthit, ka shkatërruar pjesën më të madhe të makinerisë terroriste të Hamasit dhe ka paralizuar Hezbollahun, ndërsa ka dëmtuar ndjeshëm edhe programin e armëve bërthamore dhe raketave balistike të Iranit.

Netanyahu kujtoi gjithashtu sulmet e 7 tetorit 2023, duke e përshkruar atë ditë si një nga më të errëtat në historinë e Izraelit. Ai u shpreh se shumë në botë duket se “kanë harruar”, por se “Izraeli nuk harron”. Duke lexuar me zë emrat e 20 pengjeve që besohet se janë ende gjallë në Gaza, ai u drejtua personalisht atyre përmes altoparlantëve vendosur në kufi: “Nuk ju kemi harruar. Nuk do të ndalemi derisa t’ju kthejmë të gjithëve në shtëpi”.

Netanyahu bëri thirrje publike për udhëheqësit e mbetur të Hamasit: “Hidhni armët, lironi popullin tim, lironi pengjet. Nëse e bëni, do të jetoni. Nëse jo, Izraeli do t’ju ndjekë kudo”.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri izraelit u shpreh i zhgënjyer nga qëndrimi i disa liderëve botërorë që, sipas tij, janë larguar me kalimin e kohës, duke reflektuar një rënie të mbështetjes ndërkombëtare për Izraelin. Kjo u vu re edhe fizikisht në sallën e OKB-së, ku shumë delegacione zgjodhën të largohen gjatë fjalës së tij – një reagim ndaj bombardimeve izraelite në Gaza dhe viktimave civile që ato kanë shkaktuar.

Në përgjigje të kritikave për viktimat civile dhe akuzave për gjenocid, Netanyahu tha se Izraeli ka bërë gjithçka për të paralajmëruar civilët duke shpërndarë miliona fletëpalosje dhe mesazhe për evakuim. Sipas tij, “Hamasi fshihet në xhami, shkolla, spitale dhe ndërtesa banimi”, duke përdorur civilët si mburoja njerëzore, shpesh nën kërcënimin e armës. Ai shtoi: “A do t’i lutej një vend që po kryen gjenocid një popullsie që të largohej nga zona e rrezikut? A i kërkuan nazistët hebrenjve të largoheshin?”

Fjalimi i Netanyahut përfundoi me ovacion dhe duartrokitje nga delegacioni izraelit, ndërsa reagimet ndërkombëtare ndaj deklaratave të tij mbeten të ndara dhe pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.