Sulmi ajror i Izraelit në Doha, më 9 shtator, ku u godit një takim i udhëheqësve të Hamasit jashtë Gazës, ka shkaktuar alarm në Turqi. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Zeki Akturk, paralajmëroi se Tel Avivi mund të “zgjasë aventurën e tij ushtarake” edhe në vende të tjera, duke përfshirë Turqinë, gjë që sipas tij do të sillte pasoja katastrofike për gjithë rajonin. Dikur partnerë strategjikë, Izraeli dhe Turqia kanë hyrë në një spirale përplasjesh që nga fundi i viteve 2000, tensione që u thelluan pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe shpërthimit të luftës në Gaza.

Mbështetja e Ankarasë për Hamasin

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka qenë prej kohësh një nga mbështetësit më të zëshëm të çështjes palestineze. Ai ka pritur shpesh përfaqësues të Hamasit në Ankara, ndërsa disa prej tyre jetojnë në Turqi. Izraeli e ka akuzuar Ankaranë për lehtësimin e aktiviteteve të Hamasit, përfshirë planifikimin e sulmeve dhe mbledhjen e fondeve. Erdogan, nga ana e tij, e ka akuzuar Izraelin për gjenocid në Gaza dhe e ka krahasuar kryeministrin Benjamin Netanyahu me Adolf Hitlerin. Tel Avivi i mohon kategorikisht këto akuza dhe pretendon se po vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Kufijtë e Izraelit dhe operacionet rajonale

Që prej nisjes së konfliktit në Gaza, ushtria izraelite ka zhvilluar disa operacione të mëdha jashtë territorit të saj: ka goditur rëndë Hezbollahun në Liban, ka sulmuar objektet e rebelëve Huthi në Jemen dhe ka shënjestruar “paraprakisht” infrastrukturën bërthamore e raketore në Iran. Sulmi në Katar – një vend i afërt me SHBA-në dhe aktor kyç në negociatat e paqes – ngriti pyetje mbi kufijtë e veprimeve të Izraelit. Erdogan, që ka lidhje të ngushta me udhëheqësit e Katarit, pritet të marrë pjesë në një samit të vendeve arabe dhe myslimane në Doha fundjavën e ardhshme, organizuar si reagim ndaj sulmit izraelit.

Siria, pika e nxehtë e re

Ekspertët paralajmërojnë se përplasja më e rrezikshme mes Izraelit dhe Turqisë mund të ndodhë në Siri. Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad nga rebelët e mbështetur nga Ankaraja në dhjetor, Turqia ka zgjeruar ndikimin e saj, ndërsa Izraeli e sheh me dyshim qeverinë e re të përkohshme. Tel Avivi ka marrë nën kontroll një zonë tampon në jug të Sirisë dhe ka kryer qindra bombardime ndaj objekteve ushtarake. Përveç kësaj, është pozicionuar si mbrojtës i komunitetit druz kundër shumicës sunite. Ankara shpreson që SHBA të pengojë çdo ndërhyrje izraelite, por sulmi i fundit në Katar tregoi, siç vuri në dukje analisti Unluhisardjikli, se “qeveria izraelite nuk njeh kufij në veprimet e saj ushtarake”.