Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një takim ku në qendër të diskutimeve ishte çështja e Iranit dhe siguria në Lindjen e Mesme.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Netanyahu synon që Uashingtoni të zgjerojë kornizën e negociatave me Teheranin, duke përfshirë jo vetëm programin bërthamor, por edhe raketat balistike dhe mbështetjen iraniane për grupet si Hamasi dhe Hezbollahu – çështje që Izraeli i konsideron prioritare për sigurinë e tij.

Para takimit me Trump, Netanyahu njoftoi se kishte nënshkruar anëtarësimin e Izraelit në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”, në një ceremoni të mbajtur në Blair House. Ai theksoi se Izraeli do të vazhdojë të forcojë aleancën me SHBA-në. Takimi i parë i këtij bordi është planifikuar më 19 shkurt në Uashington, ku pritet të diskutohet edhe mbledhja e fondeve për rindërtimin e Gazës.

Pas takimit, Trump e cilësoi bisedën si shumë të mirë dhe nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta. Ai theksoi se negociatat me Iranin duhet të vazhdojnë, me synimin për të arritur një marrëveshje të re. “Nëse mund të arrihet një marrëveshje, kjo do të ishte zgjidhja e preferuar”, u shpreh Trump, duke shtuar se në të kundërtën do të duhet të shqyrtohen alternativa të tjera.

Netanyahu kishte deklaruar më herët se do t’i paraqiste presidentit amerikan qëndrimet e Izraelit mbi parimet e negociatave, duke i cilësuar ato thelbësore për paqen dhe sigurinë në rajon.

Vizita e tij vjen në një moment të tensionuar, pas bisedimeve të zhvilluara në Oman mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë për një marrëveshje të mundshme bërthamore. Irani ka paralajmëruar se do të reagojë në rast të një sulmi amerikan ndaj objekteve të tij bërthamore, ndërsa zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.

Kjo ishte vizita e gjashtë e Netanyahut në SHBA që nga fillimi i mandatit të Trump, duke reflektuar rëndësinë strategjike të marrëdhënies mes dy vendeve në një periudhë sfidash të shumta gjeopolitike.