Funerali i Papa Françeskut pritet të mbahet midis ditës së premte dhe së dielës.
Datën përfundimtare do ta vendosë kolegji kardinalor, në përputhje me rregullat që përcaktojnë se ceremonia duhet të zhvillohet midis ditës së katërt dhe të gjashtës pas vdekjes. Megjithatë, sipas burimeve jozyrtare, ceremonia mortore pritet të zhvillohet ditën e shtunë.
Papa Françesku ka dhënë udhëzimet për atë që duhet bërë pas vdekjes së tij. Ai ka kërkuar të varroset në Santa Maria Maggiore.
Në testament Papa ka shkruar se trupi i tij dëshiron që të prehet në Bazilikën Papale të Shën Mërisë së Madhe duke theksuar se gjithmonë ia ka besuar veten Nënës së Zotit. Ati i Shenjtë ka porositur që varri i tij të përgatitet në kamaren e varrimit në rreshtin anësor midis Kapelës Pauline (Kapela e Salus Populi Romani) dhe Kapelës Sforza të Bazilikës. Papa ka kërkuar që varri të jetë në tokë, i thjeshtë, pa zbukurime të veçanta, dhe me vetëm mbishkrimin: Françesku.
Ndër të tjera në testament thuhet se shpenzimet e përgatitjes së varrimit do të mbulohen nga një shumë e dhënë nga një dashamirës, të cilën, Papa shrkuante se e kishte rregulluar që të transferohet në Bazilikën Papale të Shën Marisë Major. Ati i Shenjtë ka shkruar se i ka dhënë udhëzimet e nevojshme në lidhje me këtë kardinalit Rolandas Makrickas, Komisionerit të Jashtëzakonshëm të Bazilikës Liberiane.


