Një kandidat për deputet në Nigeri është tërhequr nga gara zgjedhore pasi dokumente të publikuara së fundmi ngritën dyshime të forta se ai është ende i mitur.

Mahmoud Sadish Buba, i cili ishte bërë viral në rrjetet sociale për pamjen e tij shumë rinore, pretendonte se ishte 30 vjeç dhe kishte deklaruar se paraqitja e tij lidhej me një formë të trashëguar nanizmi.

Politikani aspirant kandidonte për një vend në Asamblenë Kombëtare Nigeriane nën siglën e partisë APC dhe gjatë daljeve publike kishte deklaruar se ishte krenar për gjendjen e tij fizike, duke theksuar se dëshironte t’i shërbente popullit.

Por polemikat shpërthyen pasi në rrjet u publikua një pasaportë e dyshuar nigeriane, ku data e lindjes rezultonte 27 gusht 2010. Nëse dokumenti është autentik, kjo do të thotë se Buba është vetëm 16 vjeç, çka e bën të papërshtatshëm për të kandiduar sipas ligjit nigerian, i cili kërkon që deputetët të jenë të paktën 30 vjeç.

Mediat lokale raportojnë se dokumenti u publikua nga një person që pretendonte të ishte vëllai i tij, ndërsa edhe një ish-mësues i Bubbës deklaroi publikisht se ai kishte qenë nxënës i shkollës së mesme vetëm pak vite më parë.

Pas debatit të madh publik dhe presionit në rritje, Buba njoftoi në Facebook tërheqjen nga kandidimi për Dhomën e Përfaqësuesve. Në deklaratën e tij ai nuk përmendi çështjen e moshës, por tha se vendimi ishte marrë pas konsultimeve dhe përpjekjeve për pajtim brenda partisë.