Ish-zonja e parë dhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për aktivitetet kriminale të financierit të ndjerë Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell.
Gjatë një dëshmie para House Oversight Committee në Chappaqua, Nju Jork, Clinton u shpreh se ishte “e tmerruar” nga informacionet e zbuluara për krimet e tyre. “Si çdo njeri i ndershëm, jam tmerruar nga ajo që kemi mësuar për krimet e tyre. Është e pakuptueshme që Epstein fillimisht mori një dënim kaq të lehtë në vitin 2008, gjë që i lejoi atij të vazhdonte praktikat e tij grabitqare edhe për një dekadë tjetër”, deklaroi ajo.
Clinton akuzoi kryetarin republikan të panelit, James Comer, se e ka thirrur për arsye politike. Ajo u bëri thirrje ligjvënësve që të marrin në pyetje edhe ish-presidentin Donald Trump, duke ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet e tij të mëparshme shoqërore me Epsteinin.
“Çfarë po fshihet? Kush po mbrohet? Dhe pse po bëhet kjo fshehje?”, tha Clinton gjatë deklaratës së saj.
Nga ana tjetër, Trump ka mohuar çdo përfshirje apo shkelje që lidhet me Epsteinin.
Dëshmia e Hillary Clinton po zhvillohet këtë të enjte, ndërsa ish-presidenti Bill Clinton pritet të paraqitet përpara komisionit të premten, në kuadër të hetimit të Kongresit mbi çështjen.
