Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer kritikat ndaj aleatëve evropianë dhe NATO, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara po “trajtohen shumë keq” edhe nga vende mike si Italia.

Në një intervistë për Tgcom24, Trump komentoi një postim të fundit në platformën e tij Truth Social, ku kishte sulmuar kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe qasjen e Italisë në kuadër të NATO-s.

Sipas tij, vendet evropiane nuk po e vlerësojnë mjaftueshëm kontributin financiar dhe ushtarak të SHBA-së për mbrojtjen e aleatëve të saj.

Trump u shpreh gjithashtu kritik ndaj aleancës ushtarake, duke thënë se disa vende anëtare të NATO-s “kanë vepruar keq” ndaj Amerikës.

I pyetur nëse SHBA mund të tërhiqet nga NATO, presidenti amerikan shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Nuk dua t’ju them”, deklaroi ai gjatë intervistës.