Presidenti Donald Trump ka bërë një koment të diskutueshëm për kandidatin kryesor për kryetar bashkie të New York-ut, Zohran Mamdani, duke e krahasuar atë me veten dhe duke e përshkruar si “shumë më të pashëm” se kandidatin “komunist”. Ky koment erdhi gjatë një interviste në emisionin “60 Minuta”, ku Trump u pyet për ngjashmëritë e mundshme midis tij dhe Mamdanit, një socialist 34-vjeçar që po kandidoon për kryetar bashkie.

Kur korrespondentja e CBS, Norah O’Donnell, e pyeti Trump se çfarë mendonte për krahasimin që disa kishin bërë mes Mamdanit dhe tij, si “karizmatikë që thyejnë rregullat e vjetra”, Trump iu përgjigj me një batutë: “Epo, mendoj se jam një person shumë më i pashëm se ai, apo jo?”

Në vazhdim, Trump e kritikoi ashpër Mamdanin, duke e quajtur atë “komunist”, dhe theksoi se ai ishte “shumë më i keq se një socialist”. Presidenti theksoi se nëse Mamdani zgjidhej, ai do të shkatërronte Nju Jorkun, duke paralajmëruar se do ta bënte ish-kryebashkiakun Bill de Blasio të dukej si një “kryebashkiak i shkëlqyer” në krahasim me të.

Trump gjithashtu komentoi se një kandidat si Mamdani, nëse do të drejtonte qytetin, do të shpërdoronte fondet federale që ai mund të dërgonte për New York-un. “Do të jetë e vështirë për mua si president t’i jap shumë para Nju Jorkut, sepse nëse ke një komunist që drejton Nju Jorkun, e tëra çfarë bën është të shpërdorosh paratë që po dërgon atje”, tha Trump.

Kritikat e tij ndaj Mamdanit vazhduan, duke e përshkruar atë si një rrezik për qytetin dhe ekonominë e tij.