Claudio Neves Valente, 48 vjeç, i cili vrau dy studentë në Universitetin Brown dhe më pas një profesor në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT), ka rrëfyer krimet e tij në një video që regjistroi pas ngjarjeve, njoftuan autoritetet amerikane.
Në video, Valente duket i papenduar për veprimet e tij dhe nuk përmend një motiv konkret për sulmet. Ai theksoi se nuk e shqetësonte mendimi i të tjerëve për të dhe se nuk kishte interes të bëhej i famshëm ose të linte pas një trashëgimi. “Nuk më intereson se si më gjykoni,” tha ai, duke shtuar më pas: “Nuk kam durim për këtë.”
Valente, që kishte ardhur në SHBA nga Portugalia 25 vjet më parë për të studiuar fizikë në Universitetin Brown, kishte lënë pas një histori të gjatë të dështimeve akademike, duke mos arritur kurrë të merrte diplomën. Ai e filloi sulmin e tij më 13 dhjetor, kur hapi zjarr mbi studentët që po jepnin provime në një ndërtesë të Universitetit Brown. Dy studentë, Ella Cook dhe Muhammad Aziz Umurzokov, humbën jetën, ndërsa nëntë të tjerë mbetën të plagosur.
Dy ditë më pas, Neves Valente shkoi në Boston dhe vrau profesorin e MIT, Nuno Loureiro. Pas këtyre ngjarjeve, ai kreu vetëvrasje më 18 dhjetor, pesë ditë pas sulmit.
Në video, Valente përmendi gjithashtu komentet e Presidentit Trump, i cili kishte quajtur emigrantët “kafshë” gjatë një fjalimi në 2018. Valente, duke u ndjerë i lidhur me këtë deklaratë, tha: “Ai më quajti kafshë, gjë që është e vërtetë. Unë jam një kafshë njësoj si ai.”
Ndërkohë, ai shprehu qëndrime të përziera ndaj Amerikës, duke pohuar se e kishte pëlqyer vendin në fillim, por më vonë u zhgënjye, duke e konsideruar vendimin e tij të ardhjes në SHBA si një gabim. Në video, ai gjithashtu ankoi për një plagë që kishte marrë gjatë sulmit ndaj Loureiros.
Autoritetet amerikane kanë zbuluar se Neves Valente kishte planifikuar sulmin ndaj Universitetit Brown për një kohë të gjatë, por nuk ka ofruar ende një motiv të qartë për veprimet e tij. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së njoftoi se, edhe pse sulmi ndaj Brown ishte i planifikuar, motivi për vrasjet e studentëve dhe për sulmin ndaj profesorit të MIT nuk është sqaruar ende plotësisht.
