Kreu i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, lidhur me udhëheqjen iraniane.

Përmes një postimi në platformën X, Larijani ironizoi komentet e zyrtarit amerikan duke shkruar:

“Z. Hegseth! Udhëheqësit tanë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë mes popullit. Po tuajt? Në ishullin e Jeffrey Epstein!”

Reagimi erdhi pasi Hegseth deklaroi gjatë një konference për shtyp se drejtuesit iranianë “janë të dëshpëruar dhe po fshihen”.

“Ata janë futur në fshehtësi, duke u fshehur si minjtë”, u shpreh shefi i Pentagonit.

Në të njëjtin postim, Larijani publikoi edhe dy video ku shfaqen presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, dhe kreu i gjyqësorit, Gholam Hossein Mohseni Eje’i, teksa marrin pjesë në aktivitete publike, për të treguar se udhëheqësit e vendit nuk janë në fshehtësi.