Presidenti Donald Trump ka sulmuar ashpër gazetarin e ABC News, George Stephanopoulos, gjatë një takimi të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Argjentinës, Javier Milei.

Me tone sarkastike dhe gjuhë tallëse, Trump e quajti gazetarin “George Slopadopoulos” dhe ironizoi një intervistë të mëparshme me zëvendëspresidentin JD Vance, duke e përshkruar si “shumë miqësore”. Ai përmendi edhe një proces gjyqësor me ABC-në, duke thënë me ironi se “ia vlente të gënjehej për 16 milionë dollarë”.

Trump kritikoi mënyrën se si ishte trajtuar Vance në intervistën e fundit në rrjetin ABC, të cilin e cilësoi si “pronë të Disney-t”, duke e quajtur të papërshtatshme ndërprerjen e një zëvendëspresidenti “të respektuar” në mes të fjalisë. Ai tha se kjo ishte e vetmja mënyrë që gazetari mund të fitonte “debatin” dhe shtoi se nuk do të pranonte më pyetje nga “lajmet e rreme të ABC”.

“Do të marrim disa pyetje nga lajmet dhe jam i sigurt se ato do të jenë tepër jo-armiqësore dhe miqësore, ashtu si JD kaloi nëpër një intervistë shumë ‘miqësore’ me George Slopadopoulos”, tha Trump me sarkazëm të dukshëm, duke u tallur me emrin e Stephanopoulos.

Trump vazhdoi duke iu referuar padisë së ABC-së, duke bërë shaka, “Ai ishte aq i sjellshëm sa të më paguante 16 milionë dollarë herën e fundit që erdhëm – iu desh të më paguante 16 milionë dollarë. Gjë që është mirë. Ia vlente. Ia vlente që dikush të gënjente. Nëse merr 16 milionë dollarë, kjo është mirë.”, tha ai.

Këto komente vijnë pas një interviste ku JD Vance dhe Stephanopoulos patën një përplasje të fortë verbale, pasi gazetari e pyeti disa herë nëse ish-cari i kufirit Tom Homan kishte marrë ryshfet. Stephanopoulos përmendi një përgjim audio të vitit 2024, ku Homan pretendohet se ka pranuar 50 mijë dollarë në para të gatshme. Vance e mohoi kategorikisht ekzistencën e provave dhe kritikoi gazetarin për humbjen e besueshmërisë dhe fokusin e njëanshëm ndaj një teme që, sipas tij, nuk është thelbësore për publikun.

Pasi Vance kërkoi të kalonin në një temë tjetër, Stephanopoulos refuzoi dhe ndërpreu intervistën. Më pas, Vance reagoi edhe në rrjetet sociale, duke akuzuar gazetarin se nuk po interesohej për çështje madhore si paqja në Lindjen e Mesme apo kërcënimet nga Kina, por po merrej me një “skandal të rremë”.

ABC News nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi situatën.