Protestuesit sulmojnë markat japoneze dhe zemërimi i tyre nuk ka të ndalur
Disa nga kompanitë më të rëndësishme japoneze njoftuan se i kanë mbyllur fabrikat e tyre në Kinë, dje dhe i këshilluan punonjësit e tyre të qëndrojnë brenda shtëpive të veta, pasi situata e sigurisë u përkeqësua ndjeshëm. Turma të zemëruara protestuesish kinezë sulmuan reklamat e produkteve japoneze. Protestat e tyre u shkaktuan nga mosmarrëveshja mes Kinës dhe Japonisë mbi territorialitetin e disa ishujve të pabanuar në Detin e Kinës Jugore.
Ky është shpërthimi më i madh i zemërimit kundër Japonisë në Kinë që është regjistruar në dekadat e fundit. Qytetarët japonezë në Kinë, të cilët punojnë nëpër fabrikat e pafundme të industrisë japoneze në këtë vend u fshehën gjatë ditëve të fundit, pasi protestuesit thyen reklamat dhe në disa raste, edhe vetë makinat e markave “Toyota” apo “Honda”. Sot (e martë) pritet që protestat të ashpërsohen edhe më tej për shkak se kjo ditë përkon me përvjetorin e sulmit të Kinës kontinentale nga Japonia në vitin 1931.
“Unë nuk kam ndër mend të dal sot dhe i kam kërkuar të dashurit tim kinez të qëndrojë me mua nesër”, thotë Sayo Morimoto, një studente japoneze 29-vjeçare. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze deklaroi se qeveria e tij do të mbrojë kompanitë japoneze dhe i bëri thirrje qytetarëve t’i binden ligjit.
“Pasojat shkatërrimtare të blerjes së paligjshme të ishujve Diaoju nga Japonia po shfaqen tani dhe përgjegjësia për këtë duhet të mbahet nga Japonia”, tha ai.
Kina dhe Japonia kanë një volum të ndërsjellë tregtie prej 345 miliardë dollarë në vit, por janë diskutuar për disa ishuj të pabanuar. Kina ka dërguar më herët gjashtë anije mbikëqyrëse në zonë ndërsa këtë javë një flotë me rreth 1 mijë peshkarexha kineze do të mbërrijë për të peshkuar përreth ishujve.
Gjatë fundjavës, protestuesit sulmuan përfaqësitë diplomatike kineze si dhe dyqane, restorante e distributorë makinash në së paku pesë qytete. “Toyota” dhe “Honda” njoftuan se protestuesit i kishin vënë zjarrin dhe kishin dëmtuar disa dyqane të tyre. “Toyota” ka vendosur të mos i mbyllë fabrikat e veta për momentin por “Honda” tha se do të ndalojë punën për dy ditë. Një rrjet supermarketesh veshjesh njoftoi mbylljen e një pjese të aktivitetit.