Një tërmet i fortë me magnitudë 7.6 goditi Japoninë të hënën vonë në mbrëmje, duke shkaktuar valë cunami deri në 70 centimetra dhe duke plagosur të paktën 30 persona, sipas deklaratës së sotme të Kryeministres Sanae Takaichi. Lëkundja e fuqishme, e regjistruar në det pranë prefekturës Aomori rreth orës 23:15 me orën lokale, u pasua nga paralajmërime për dridhje të tjera të mundshme në ditët e ardhshme nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA).

Autoritetet njoftuan se një person ndodhet në gjendje të rëndë në Hokkaido, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive urdhëroi evakuimin e rreth 28,000 banorëve. Në Sapporo, lëkundjet zgjatën rreth 30 sekonda, duke shkaktuar panik dhe thyerje xhamash, ndërsa mëngjesi zbuloi dëmtime në rrugë të mbuluara nga bora.

Në prefekturën Aomori, rreth 2,700 shtëpi mbetën pa energji elektrike dhe u raportuan zjarre sporadike. Ndërkohë, shërbimet e trenave Shinkansen u pezulluan për inspektime të sigurisë. Autoritetet energjetike siguruan se dy termocentralet bërthamore më të afërta, Higashidori dhe Onagawa, nuk kanë shfaqur anomali.

Japonia, e vendosur në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, përjeton rreth 1,500 tërmete çdo vit. Kujtimet e katastrofës së vitit 2011 – kur një tërmet 9.0 dhe cunami i mëvonshëm shkaktuan rreth 18,500 viktima dhe shkrirje në tre reaktorë të Fukushimës – vijojnë të mbeten të freskëta në kujtesën e vendit.

Ekspertët kanë paralajmëruar se rreziku i një mega-tërmeti në çarjen Nankai është rritur, me parashikime se një ngjarje e tillë mund të shkaktojë deri në 298,000 viktima dhe dëme prej 2 trilionë dollarësh. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të jenë të përgatitur dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare në rast të lëkundjeve të mëtejshme.