I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ndodhet në Izrael, ku pritet të zhvillojë këtë të hënë bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Në qendër të takimit do të jetë e ardhmja e planit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për Gazën.

Sipas BBC, vizita në Izrael vjen menjëherë pas kontakteve që Kushner zhvilloi me përfaqësues të Hamasit, ndërsa Uashingtoni po përpiqet të çojë përpara zbatimin e marrëveshjes së tij për territorin palestinez.

Një muaj më parë, “Bordi i Paqes”, struktura e ngritur nga presidenti Trump, njoftoi arritjen e një marrëveshjeje që parashikon çarmatimin e plotë të Hamasit dhe të grupeve të tjera të armatosura që veprojnë në Gaza.

Propozimi amerikan përmban 15 pika dhe, krahas çarmatimit, parashikon largimin e forcave izraelite nga Gaza. Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me rindërtimin e territorit dhe kalimin e administrimit të tij nën përgjegjësinë e një strukture të re civile palestineze.

Zbatimi i planit, megjithatë, ka hasur kundërshtimin e Izraelit, duke sjellë tensione të reja diplomatike mes qeverisë së Netanyahut dhe administratës Trump. Qëndrimi izraelit shkaktoi reagime edhe në botën myslimane, me tetë shtete që publikuan të dielën një deklaratë të përbashkët kundër refuzimit të planit.

Përpara mbërritjes në Izrael, Kushner zhvilloi bisedime në Egjipt. Një zyrtar palestinez bëri të ditur se ai u takua të dielën me një delegacion të Hamasit të drejtuar nga Khalil al-Hayya, drejtuesi i ri i grupit.

Pas këtyre bisedimeve, Hamasi kërkoi nga ndërmjetësuesit dhe “Bordi i Paqes” të shtojnë presionin ndaj Izraelit, me synimin që qeveria izraelite të pranojë udhërrëfyesin që përcakton fazat e ardhshme të planit për Gazën.

Takimi mes Kushner dhe Netanyahu pritet të jetë vendimtar për të kuptuar nëse palët mund të afrojnë qëndrimet dhe nëse plani amerikan mund të kalojë në fazën e mëtejshme të zbatimit.