Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët e Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Arabisë Saudite dhe Jordanisë për situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas burimeve pranë presidencës franceze, Parisi po shtyn përpara një zgjidhje diplomatike për krizën, duke kërkuar rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit pa tarifa apo kufizime, vendosjen e një armëpushimi dhe rikthimin e negociatave për programin bërthamor iranian, raketat balistike dhe çështjet rajonale.
Ndërkohë, Irani dhe Shtetet e Bashkuara raportuan progres në bisedimet e zhvilluara gjatë ditës së sotme, pas javësh tensionesh dhe përpjekjesh intensive diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të konfliktit.
Megjithatë, palët mbeten të rezervuara për një marrëveshje përfundimtare. Trump deklaroi për mediat amerikane se shanset për një marrëveshje ose për rikthimin e përplasjeve janë “50 me 50”, duke theksuar se ende nuk ka dakordësi të plotë mes palëve.
Në orët e fundit janë shtuar kontaktet diplomatike ndërkombëtare, me synimin për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të krizës në rajon.
