Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka deklaruar se nuk do të ketë taksa apo tarifa për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke hedhur poshtë çdo ide për një mekanizëm të tillë ekonomik në këtë zonë strategjike.

Në një intervistë për gazetarin Michael Knowles, Vance u shpreh se nuk do të lejohet një situatë në të cilën Irani të përfitojë nga vendosja e tarifave për anijet që kalojnë në këtë korridor detar jetik për tregtinë globale të naftës.

“Dua vetëm të jem shumë i qartë këtu. Kjo nuk do të përfundojë në një vend ku iranianët po mbledhin taksa për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit”, tha ai.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara ende disponojnë “shumë pika ndikimi” ndaj Iranit dhe synimi është që çdo zhvillim në lidhje me këtë çështje të përfundojë në një mënyrë që shërben interesave amerikane.

Deklarata vjen pasi “The New York Times” raportoi më herët se Omani kishte propozuar një plan për vendosjen e tarifave mbi kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit.