Policia ka publikuar pamje dhe fotografi të të dyshuarit, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin dhe kapjen e tij.
Në një prej videove të publikuara nga autoritetet, burri i maskuar shihet duke ndjekur një grua që po vraponte në rrugë, në orët e para të mëngjesit. Ngjarja ka ndodhur pranë Bashkisë së Filadelfias, rreth orës 05:30 të mëngjesit të së mërkurës së kaluar.
Sipas policisë, 40-vjeçarja është ndjekur nga i dyshuari, i cili i është afruar duke i drejtuar telefonin celular dhe e ka pyetur: “Je gati të vdesësh?”. Pasi gruaja nuk ka reaguar, ai ia ka përsëritur pyetjen. E frikësuar, ajo është larguar me vrap, duke mbetur e dëmtuar në këmbë gjatë përpjekjes për t’u arratisur.
Pamjet e një kamere tjetër sigurie tregojnë gruan duke vrapuar në një rrugë me pesë korsi, ndërsa i dyshuari e ndjek nga pas. Në pamundësi për ta kapur, ai ka ndryshuar drejtim.
Një dëshmitare, e identifikuar si Jameka, tha se e kishte parë të dyshuarin duke ndjekur gruan dhe u përpoq ta paralajmëronte.
“Fillova ta përshëndesja nga ana tjetër e kryqëzimit dhe t’i thoja: ‘Hej, është dikush pas teje – shiko pas teje!’. Ajo më dëgjoi dhe më pas filloi të vraponte”, tha ajo për mediat lokale.
Sipas dëshmisë së saj, i dyshuari më pas tentoi të hynte me forcë në një kafene, por pasi nuk u lejua të hynte, e ktheu vëmendjen nga ajo. Dëshmitarja pretendon se ai u përpoq ta sulmonte dhe më pas u largua me vrap.
Policia e ka përshkruar të dyshuarin si një burrë me ngjyrë, rreth 1.68 metra i gjatë dhe të moshës 16 deri në 20 vjeç.
Hetuesit kanë publikuar disa fotografi ku ai shfaqet me maskën e Chucky-t dhe një çantë shpine me katrorë blu.
Autoritetet thonë se i dyshuari ka ngacmuar dhe kërcënuar disa persona, duke qeshur me viktimat dhe duke i pyetur nëse ishin “gati të vdisnin”.
Ai përballet me akuza për kërcënime terroriste, ngacmim, sulm, rrezikim të pamatur dhe frikësim, ndërsa policia nuk përjashton edhe akuza të tjera, përfshirë armëmbajtjen pa leje.
