Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është përfshirë në një debat të ashpër me një gazetar të agjencisë Reuters, pasi u pyet nëse anulimi i një aktiviteti elektoral në Kansas lidhej me gjendjen e tij shëndetësore apo me lodhjen nga udhëtimet e shumta.

Incidenti ndodhi të enjten, më 29 tetor, pranë avionit presidencial Air Force One, pas kthimit të Trump nga një aktivitet elektoral në Karolinën e Jugut.

Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e mediave, gazetari Jacob Bogage e pyeti presidentin amerikan nëse ndihej mirë fizikisht, duke marrë parasysh angazhimet e tij intensive në fushatën për zgjedhjet e mesmandatit.

Fillimisht, Trump deklaroi se ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Megjithatë, situata u tensionua kur reporteri kërkoi të dinte nëse anulimi i udhëtimit drejt Kansasit kishte ardhur si pasojë e lodhjes.

“Je i çmendur që bën një pyetje të tillë. Je i sëmurë. Me kë je?”, iu drejtua Trump gazetarit.

Kur mësoi se reporteri përfaqësonte agjencinë Reuters, presidenti amerikan vijoi me kritikat ndaj tij dhe medias ku punonte.

“Je një njeri i sëmurë. Reuters është i tmerrshëm, meqë ra fjala”, u shpreh ai.

Gazetari u përpoq të sqaronte se pyetja kishte për qëllim vetëm të mësonte nëse presidenti ishte mirë, por Trump reagoi sërish, këtë herë duke bërë komente për pamjen e tij fizike.

“Shikojeni këtë njeri, është shumë jashtë forme. Ti je i neveritshëm. Kujdesu për formën tënde fizike, dukesh tmerrësisht keq”, deklaroi Trump.

Pavarësisht përplasjes verbale, presidenti amerikan këmbënguli se nuk kishte asnjë problem shëndetësor dhe se vendimi për të anuluar pjesëmarrjen në aktivitetin e Kansasit nuk kishte lidhje me lodhjen.

Sipas tij, prania fizike në këtë aktivitet nuk ishte e domosdoshme, pasi senatori republikan Roger Marshall, të cilin Trump synonte të mbështeste, po zhvillonte një fushatë të suksesshme.

Në përfundim, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se do të merrte pjesë në aktivitetin elektoral përmes një lidhjeje në distancë, ndërsa konfirmoi planet për të udhëtuar drejt Floridës.