Vëllai i financierit të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, ka deklaruar se ai beson se vdekja e tij në burg nuk ishte vetëvrasje, por vrasje, duke akuzuar autoritetet amerikane për fshehje të së vërtetës.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg të New York më 10 gusht 2019. Në një intervistë për BFMTV, Mark Epstein tha: “Në këtë fazë, unë e di që ai është vrarë”, duke shtuar se ekspertë mjeko-ligjorë që ai kishte sjellë për identifikimin e trupit nuk arritën fillimisht të konkludonin vetëvrasje dhe se gjetjet “dukeshin më shumë si vrasje”.
Megjithatë, disa ditë pas autopsisë, rezultatet zyrtare e shpallën shkakun e vdekjes vetëvrasje me varje. Vëllai i tij këmbëngul se Epstein “dinte shumë”, duke pretenduar se ai kishte deklaruar dikur se informacionet që zotëronte për kandidatët presidencialë të vitit 2016, Hillary Clinton dhe Donald Trump, mund të kishin ndikuar në anulimin e zgjedhjeve.
Dyshime mbi shkakun e vdekjes ka ngritur edhe patologu ligjor Michael Baden, i cili ishte i pranishëm si vëzhgues në autopsi në emër të familjes. Në një intervistë për The Telegraph, ai deklaroi se vdekja “ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga mbytja dhe jo nga varja” dhe se duhen hetime të mëtejshme.
Mark Epstein u shpreh gjithashtu skeptik për publikimin e dokumenteve zyrtare mbi çështjen, duke sugjeruar se procesi mund të jetë një shpërqendrim nga pyetjet rreth vdekjes. Ai tha se një hetim i pavarur, rezultatet e të cilit pritet të publikohen në muajt në vijim, arrin në përfundimin se bëhet fjalë për vrasje.
Nga ana tjetër, autoritetet amerikane kanë deklaruar se transparenca është e plotë. Prokurorja e Përgjithshme e SHBA njoftoi më 11 shkurt se të gjitha materialet relevante për rastin janë bërë publike, përfshirë mbi 3 milionë faqe dokumente dhe rreth 380 mijë imazhe.




