Një histori nga Singapori po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke nxjerrë në pah presionin ekstrem të pritjeve familjare dhe krahasimeve të vazhdueshme me “të suksesshmit”.

Një 28-vjeçar ka treguar se prindërit e tij vendosën të anulojnë të gjitha mbledhjet familjare të Krishtlindjeve, pasi ndiheshin të turpëruar nga ajo që e konsideronin mungesë suksesi të tij, sidomos në krahasim me kushërinjtë.

I riu, në një rrëfim anonim në Reddit me titull “Si i menaxhoni pritjet e larta nga familja juaj?”, shpjegon se është rritur në një familje kineze ku karrierat elitare janë standard: mjekë, juristë, financierë dhe drejtues të lartë korporatash. Shumica e të afërmve të tij, sipas tij, mbajnë pozicione të rëndësishme, ndërsa edhe kushërinjtë më të vegjël kanë punë prestigjioze dhe paga të larta.

Ndryshe nga ta, ai rrëfen se u diplomua me GPA të ulët, humbi punën e tij të parë po atë vit dhe që prej asaj kohe ka pasur vështirësi të gjejë një tjetër. Madje, një gabim serioz në vendin e punës, sipas tij, çoi edhe në mbylljen e kompanisë ku punonte.

Pas humbjes së punës, marrëdhënia me prindërit ndryshoi rrënjësisht. Ata u distancuan emocionalisht dhe komunikimi u ftoh ndjeshëm. Situata kulmoi kur, mes zemërimit dhe zhgënjimit, vendosën të anulonin festimet e Krishtlindjeve.

Sipas rrëfimit të tij, prindërit i bërtitën dhe i thanë se ishte “burim turpi” dhe se nuk mund të përballeshin me të afërmit për shkak të tij.