Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, reagoi sot pas kritikave të shumta për komentet e tij mbi dërgimin e dronëve turq në Kosovë, duke theksuar se Serbia “është shumë e vogël për të kërcënuar një fuqi të madhe si Turqia”.
Në një konferencë urgjente për shtyp, Vuçiç komentoi mbi dërgesën e fundit të dronëve kamikazë Skydagger, të prodhuar në Turqi dhe të furnizuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ai u shpreh se deklaratat e tij janë keqinterpretuar dhe se Serbia nuk kërkon përshkallëzim të tensioneve në rajon.
“Ne jemi të vegjël për të kërcënuar një fuqi të dytë ushtarake të NATO-s”, tha Vuçiç, duke iu përgjigjur akuzave nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, se ai kishte dërguar mesazhe kërcënuese ndaj Turqisë.
Sipas tij, marrëdhëniet mes Beogradit dhe Ankarasë ndodhen në një “epokë të artë”, dhe ai vetë vazhdon të mbetet “mik personal” i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Erdogan është një lider i madh dhe një mik i imi. Ai ka transformuar Turqinë dhe është udhëheqësi më i madh që nga Mustafa Kemal Ataturku,” theksoi Vuçiç.
Presidenti serb zbuloi gjithashtu se kishte kërkuar personalisht nga Erdogan në shtator 2024, gjatë një takimi në “Shtëpinë Turke” në New York, që të ndalonte furnizimin me armë për Kosovën. Por sipas Vuçiç, Ankaraja vazhdoi bashkëpunimin ushtarak me Prishtinën, që po punon për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në një ushtri të plotë.
Ai përmendi disa nga armët që, sipas tij, janë furnizuar nga Turqia drejt Kosovës: dronët Bayraktar dhe Skydagger, raketat OMTAS, automjetet Otokar Cobra, BMC Vuran, Land Rover Otokar, si dhe armë të tjera të avancuara.
“Skydagger është më i rrezikshmi nga këto, një dron kamikaz i nivelit të lartë. Kontrata për këto u nënshkrua më 24 dhjetor dhe u realizua para afatit,” tha Vuçiç.
Duke e përmbyllur deklaratën, ai u shpreh se Serbia do të mbrojë interesat e saj pa përçarë marrëdhëniet me Ankaranë. “Ne do të ruajmë paqen dhe do të kërkojmë nga partnerët tanë turq që të dëgjojnë shqetësimet tona.”