Ditarët e agjentëve britanikë hapen për publikun, duke zbuluar detaje të panjohura


Spiuni i Luftës së Ftohtë, Klaus Fuchs, pati porosinë të hidhte një revistë në një park të Londrës, për të dhënë sinjalin për takimin me kontaktin e tij sovjetik. Ky është një detaj i jetës së përditshme të spiunëve në Britaninë e Madhe, nga shumë detaje që u zbuluan nga publikimi i ditarëve të njërit prej agjentëve më të rëndësishëm të këtij vendi.


Fuchs, një fizikan bërthamor që ishte edhe spiuni më i shtrenjtë për sovjetikët para se të burgosej më 1950, duhej të shënonte faqen 10 të revistës së hedhur për të sinjalizuar se dëshironte të takohej me kontaktin e tij nga shërbimet sekrete. Oficeri i kontaktit duhej të përgjigjej duke bërë një shenjë me shkumës në një kuti postare.


Dhjetë ditarë nga Guy Liddell, në atë kohë zëvendësdrejtor i përgjithshëm i agjencisë së kundërzbulimit MI5, tregojnë se si dukej bota e spiunazhit nga një i brendshëm në vitet e para të një sistemi politik që dominoi botën për shumë dekada.


Liddell e dokumentoi aktivitetin e tij pa pushim mes viteve 1945 dhe 1953 në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, ku qenë edhe të famshmit “pesëshja e Kembrixhit”, agjentët e dyfishtë që në atë kohë konsideroheshin patriotë, por që shumë vite më vonë u demaskuan dhe u arratisën në Moskë.


Ekspertët thonë se ditarët e rinj ndihmojnë për të kuptuar këtë periudhë, pasi burimi i tyre është i shkëlqyer dhe vëzhgimet janë mendjeholla. Për më tepër, ai kishte akses te shumë informacione sekrete.


“Ne po marrim një panoramë të asaj që ndodhi në qendër të botës së spiunazhit, po mësojmë pak a shumë gjithçka që ndodhi, nga një person në krye, i cili shkroi me pasion historinë”, thotë Andrew Lownie, një gazetar i specializuar mbi botën e spiunazhit.


Liddell përshkruan se si zbuluan që rusët kishin bërë testin e parë të bombës atomike më 1949-n. Zbulimi rrëzoi shumë llogari që kishin bërë perëndimorët mbi burimet që duhej të angazhonin, për të përballuar kërcënimin sovjetik. Për Britaninë e Madhe, u bë e njohur se nga viti 1957, sovjetikët do të dispononin sasinë e mjaftueshme të bombave atomike për të rrafshuar të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Disa ekspertë besojnë se sovjetikët qenë në gjendje të realizonin bombën e tyre bërthamore më shpejt se sa pritej, për shkak të informacioneve që morën nga spiuni i tyre Fuchs. Kur u zbulua skandali i tij, marrëdhëniet me amerikanët u përkeqësuan. Më 1950-n, Liddell i dëshpëruar shkruan në ditar se amerikanët “janë thellësisht të paaftë… për të dëgjuar mendimet e çdokujt me përjashtim të vetes”.


Ai jep edhe një panoramë të skenës politike britanike të kohës ku qeveria ishte shumë e shqetësuar nga penetrimi i sovjetikëve në gjirin e aktivistëve me bindje majtiste, të cilët nga ana e tyre po infiltronin në partinë liberale, si dhe në shumë organizata sindikaliste.