Një burrë kishte 8 vite që jetonte ilegalisht në një pyll kombëtar në Arizoa. Ai u zbulua nga autoritetet pasi kampi i tij i fshehur u gjet i rrethuar nga rreth 450 kilogramë mbeturina.
Mediat e huaja shkruajnë se Mark Aaron Gatz kishte ngritur një kamp të përhershëm në Pyllin Kombëtar Tonto, ku sipas dokumenteve gjyqësore ai u tha autoriteteve se kishte jetuar për vite me radhë.
Në zonën ku qëndronte, oficerët gjetën goma, qese plastike, thasë me mbeturina, kanaçe alumini dhe materiale të tjera të hedhura, duke krijuar një grumbull mbetjesh që peshonte rreth 1 mijë paund (450 kilogramë).
Por jo vetëm kaq, pasi autoritetet zbuluan një strukturë të ndërtuar pa leje në pyll, të cilën burri e përdorte si strehë, si dhe një vend zjarri të paligjshëm të ndërtuar me gurë për gatim.
Gatz u deklarua fajtor për shkeljen e kufizimeve ndaj zjarreve dhe për përdorimin e paligjshëm të tokës federale si banesë, si pjesë e një marrëveshjeje me prokurorinë.
Sipas vendimit të gjykatës, ai u dënua me tre muaj periudhë prove dhe u urdhërua të paguante 20 dollarë gjobë penale. Ai shmangu një detyrim financiar deri në 5 mijë dollarë ndaj Shërbimit Pyjor të SHBA-së për pastrimin e dëmeve.
Autoritetet thanë se Gatz ishte paralajmëruar më parë disa herë për shkeljet e tij. Në maj të vitit 2025, zyrtarët federalë i kërkuan të pastronte mbeturinat dhe të largohej nga kampi brenda dy javësh.
Sipas rregullave të Pyllit Kombëtar Tonto, kampistët lejohen të qëndrojnë vetëm deri në 14 ditë në të njëjtin vend. Megjithatë, Gatz u tha autoriteteve se kishte jetuar aty për rreth tetë vite.
Kur u arrestua më 25 qershor, ai u përball fillimisht me një aktakuzë federale me 18 pika, ku përfshiheshin akuza për ndezje zjarresh të paligjshme, tejkalim të afateve të kampimit, lënie mbeturinash në kushte jo higjienike dhe shkelje të tjera.
Pas marrëveshjes së fajësisë, Gatz ra dakord të mos vizitojë më pyjet kombëtare në Arizona dhe të mos përdorë kanabis.
