Mbi 1.500 të burgosur të dënuar me vdekje në burgun Ghezel Hesar, pranë Teheranit, kanë nisur një grevë masive urie në shenjë proteste kundër rritjes së ekzekutimeve në Iran. Disa prej tyre kanë ndërmarrë edhe një akt ekstrem, duke qepur buzët si simbol të revoltës ndaj autoriteteve.

Sipas organizatave iraniane për të drejtat e njeriut, protesta ka nisur dy javë më parë, pasi gjashtë të dënuar për akuza të lidhura me trafikun e drogës u transferuan në izolim në pritje të ekzekutimit.

Në videot e publikuara nga grupet për të drejtat e njeriut, të burgosurit shfaqen me pankarta ku shkruhet “Jo Ekzekutimeve”, ndërsa u bëjnë thirrje njerëzve të bëhen zëri i tyre. Në një prej pamjeve, një i burgosur qep buzët me gjilpërë dhe pe, duke pretenduar se autoritetet nuk kanë reaguar ndaj grevës së urisë.

Sipas dëshmive të publikuara, disa të burgosur kanë kërkuar ndihmë urgjente mjekësore për protestuesit, duke akuzuar rojet e burgut se nuk po lejojnë transportimin e tyre në infermieri, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Sipas organizatës Iran Human Rights (IHRNGO), me seli në Oslo, të paktën 424 persona janë ekzekutuar në Iran që nga fillimi i këtij viti, shumica e tyre për akuza që lidhen me drogën. Vetëm gjatë kësaj jave, autoritetet iraniane ekzekutuan edhe dy burra të dënuar për akuzën e “luftës kundër Zotit”, lidhur me vrasjen e dy efektivëve të policisë gjatë protestave kundër regjimit.

Drejtori i IHRNGO-së, Mahmood Amiry-Moghaddam, e cilësoi protestën si një akt të jashtëzakonshëm guximi, duke theksuar se shumë prej të dënuarve rrezikojnë të ekzekutohen në çdo moment.

Edhe organizata Amnesty International ka shprehur shqetësim për përdorimin e dënimit me vdekje në Iran, duke deklaruar se shumë procese gjyqësore nuk përmbushin standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe se të pandehurit shpesh nuk kanë akses në një mbrojtje ligjore efektive.

Ndërkohë, familjarët e të dënuarve kanë protestuar jashtë burgut Ghezel Hesar në mbështetje të të afërmve të tyre, por, sipas burimeve, tubimi është shpërndarë me forcë nga autoritetet iraniane.