Shkencëtarët kanë identifikuar rreth 30 specie detare të panjohura më parë në thellësitë akullnajore të Antarktidës, një zbulim që tregon se edhe në kushtet më ekstreme, jeta gjen mënyra për të lulëzuar. Ndër to është sfungjeri grabitqar Chondrocladia, i quajtur “topi i vdekjes” për mënyrën se si kap prenë me tentakula ngjitëse dhe krimbi “i blinduar” Eulagisca me pllaka mbrojtëse si metal.

Në mesin e zbulimeve janë edhe yje deti, butakë e karkaleca deti të rinj për shkencën. Por më intriguese janë “krimbat zombi” Osedax, krijesa që ushqehen me eshtra balenash duke përdorur baktere brenda trupit të tyre. Studiuesit thonë se këto specie ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si jeta përshtatet në të ftohtë, errësirë dhe presion ekstrem, njohuri që mund të ndihmojnë edhe në kërkimin për jetë jashtë Tokës.