Papa Françesku u nda nga jeta të hënën në orën 07:35 të mëngjesit, në rezidencën e tij në Santa Marta, duke përmbushur një nga dëshirat më të thella: të vdiste në shtëpi, në qetësi, pranë njerëzve që e kishin ndjekur me përkushtim gjatë betejave të tij shëndetësore.

Kirurgu Sergio Alfieri, që kishte kryer dy operacione delikate mbi Papën në vitet e fundit, dhe që drejtonte ekipin mjekësor të Spitalit Gemelli, ka rrëfyer për herë të parë detajet intime të orëve të fundit të Atit të Shenjtë.

“E pashë të shtunën, ishte në humor të mirë. Madje kërkoi të organizonim një takim me 70 punonjësit e spitalit për t’i falënderuar. Dy ditë më pas, gjithçka ndryshoi,” tha Alfieri për mediat italiane.

Të hënën në orën 05:30, një telefonatë nga infermieri personal Massimiliano Strappetti e paralajmëroi për gjendjen kritike të Papës. Kur Alfieri mbërriti në Santa Marta, gjeti Françeskun me sytë hapur, pa shenja të frymëmarrjes së vështirë, por pa reagim ndaj thirrjeve apo stimujve fizikë.

“Ai ishte në koma. E kuptova menjëherë se nuk kishte më çfarë të bëhej. Dhe më e rëndësishmja: ishte në paqe.”

Dëshira e fundit: “Jo respirator. Dua të vdes në shtëpi.”

Papa kishte refuzuar më herët përdorimin e respiratorit artificial. “Kur ishim në Gemelli, gjithmonë thoshte: ‘Nuk dua të vdes në spital. Dua të kthehem në shtëpi,’” tregoi Alfieri.

Transportimi në spital nuk do ta kishte shpëtuar. “As një skaner nuk do të kishte ndryshuar gjë. Ishte një nga ato goditje që të marrin brenda orës,” sqaroi mjeku.

Emocione, lutje dhe një prekje e fundit

Pak minuta pas ndarjes nga jeta, në dhomën e tij u mblodhën mjekë, infermierë dhe sekretarë. Kardinali Parolin nisi lutjen e rruzarit, dhe të gjithë u bashkuan në heshtje. “I dhashë një përkëdhelje si lamtumirë,” tha Alfieri me emocion.

Papa i popullit, deri në fund

Disa ditë para vdekjes, Françesku kishte kërkuar të dilte edhe një herë të fundit në popemobile, për të përshëndetur besimtarët në Sheshin Shën Pjetër. “Mundem, sipas teje?” – e kishte pyetur Strappettin. Pasi mori miratimin, kaloi 15 minuta duke përshëndetur njerëzit dhe duke bekuar fëmijë. Më pas tha: “Faleminderit që më ktheve në shesh.”

Një amanet i veçantë: Kujdes për embrionet e braktisura

Në ditët e fundit, Papa kishte shprehur edhe një dëshirë tjetër të fundit: mbrojtjen e embrioneve të braktisura. “Janë jetë, dhe nuk duhet të përdoren për eksperimente. Është vrasje,” kishte thënë ai. Alfieri tha se do të punojë për të realizuar këtë amanet me Ministrinë e Shëndetësisë në Itali.

Lamtumira e një figure që nuk njihte barriera

Që nga dita e vdekjes, dhjetëra mijëra besimtarë kanë vërshuar në Sheshin Shën Pjetër për t’i dhënë lamtumirën e fundit Atit të Shenjtë. Radhët shtrihen me orë të tëra, ndërsa arkivoli i thjeshtë prej druri qëndron i hapur në Bazilikën e Vatikanit, me rruzaren në duart e Papës.

Funerali i tij do të mbahet të shtunën dhe pritet të jetë një nga ceremonitë më madhështore të kohëve moderne, një nderim për një Papë që preku zemrat e botës me thjeshtësinë, guximin dhe dashurinë për njeriun.