Kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar, ka zhvilluar një vizitë në Berlin, ku u takua me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Në fokus të bisedimeve ishte roli i Hungarisë brenda Bashkimit Evropian dhe qëndrimi ndaj Ukrainës.
Gjatë takimit, Magyar shprehu synimin për ta afruar Hungarinë më shumë me partnerët evropianë dhe për ta kthyer vendin në një bashkëpunëtor të besueshëm brenda BE-së. Ai tha se Hungaria do të mbajë një qasje konstruktive në proceset vendimmarrëse të unionit dhe nuk do të përdorë veton pa arsye të forta.
Nga ana tjetër, kancelari Friedrich Merz kërkoi mbështetjen e Budapestit për politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian ndaj Ukrainës.
Megjithatë, Magyar bëri të ditur se Hungaria nuk ka ndërmend të dërgojë armë apo trupa në Ukrainë. Ai shtoi gjithashtu se vendi i tij do të vazhdojë të kundërshtojë hapjen e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në BE për sa kohë që, sipas tij, nuk garantohen të drejtat e pakicës hungareze në atë vend.
Kryeministri hungarez komentoi edhe zhvillimet politike në vend, duke kritikuar presidentin Tamas Szulok. Sipas Magyar, kreu i shtetit nuk ka ushtruar si duhet detyrën e tij dhe ka qëndruar pasiv përballë politikave të qeverisjes së mëparshme.
Vizita në Berlin shihet si një sinjal i përpjekjeve të qeverisë hungareze për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët evropianë dhe për të ndërtuar një rol më aktiv brenda Bashkimit Evropian.
