Një orë xhepi e gjetur në trupin e një pasagjereje që humbi jetën në mbytjen e Titanikut në vitin 1912 do të dalë në ankand në Mbretërinë e Bashkuar, me një vlerë që pritet të arrijë deri në 60 mijë paund (rreth 78 mijë e 900 dollarë).

Ora i përkiste Mary Mangan, 32 vjeçe, një pasagjereje të klasit të tretë, e cila udhëtonte me Titanikun në prill të vitit 1912, kur anija u mbyt në Atlantikun e Veriut, duke shkaktuar rreth 1.500 viktima.

Me origjinë nga Irlanda, Mangan ishte pjesë e një grupi prej 14 pasagjerësh nga County Mayo, të njohur si “Addergoole 14”. Ajo ishte shpërngulur në Shtetet e Bashkuara, por ishte kthyer në Irlandë në fillim të vitit 1912 për të vizituar familjen. Më pas, ishte nisur sërish drejt Amerikës, duke hipur në Titanik në Queenstown, qyteti që sot njihet si Cobh.

Detajet e fundit të njohura për të gjatë mbytjes së anijes vijnë nga dëshmia e të mbijetuarës Annie Kelly.

“E vetmja dëshmi e njohur për përmendjen e Manganit gjatë mbytjes vjen nga e mbijetuara Annie Kelly, e cila përshkroi se si ishte e shoqëruar nga Mangan dhe familja Bourke, ndërsa nxitonin drejt një shkalle që do t’i çonte në kuvertën e klasit të dytë. Mbetet e paqartë nëse Mary arriti të ngjitej në kuvertat e sipërme”, deklaroi Andrew Aldridge, organizator i ankandit.

Trupi i Mary Mangan u gjet nga anija CS MacKay-Bennett dhe u varros në det më 22 prill 1912. Në trupin e saj u zbulua edhe ora e xhepit, e punuar prej metali të verdhë dhe e gdhendur me inicialet “MM”. Pas gjetjes, objekti iu dorëzua familjes së saj së bashku me sendet e tjera personale.

Ora është dëmtuar dhe gërryer ndjeshëm për shkak të qëndrimit për më shumë se një shekull në ujërat e Atlantikut të Veriut. Megjithatë, ajo ruan rëndësinë e saj historike dhe është pjesë e koleksionit të familjes Mangan. Së fundmi, objekti u ekspozua për disa javë në Titanic Belfast, në Irlandën e Veriut.

Ajo do të dalë në ankand më 21 nëntor 2026, në shtëpinë e ankandeve Henry Aldridge & Son, në Devizes të Anglisë. Shitja do të realizohet nga familjarët e Mary Mangan, ndërsa vlera e saj parashikohet të arrijë deri në 60 mijë paund.

Sipas Aldridge, ora ka një rëndësi të veçantë, pasi mekanizmi i saj ka mbetur i ngrirë në kohë për shkak të qëndrimit në ujërat e Atlantikut në orët e para të 15 prillit 1912. Ai theksoi gjithashtu se objekti i përkiste një pasagjereje të klasit të tretë, historitë e të cilëve shpesh marrin më pak vëmendje në rrëfimet për tragjedinë e Titanikut.

Përtej vlerës që mund të arrijë në ankand, ora mbetet një kujtim i drejtpërdrejtë i Mary Mangan dhe udhëtimit të saj të fundit, që përfundoi tragjikisht përpara se ajo të mbërrinte në destinacionin e saj, në Shtetet e Bashkuara.