Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka urdhëruar agjencitë federale, përfshirë Pentagonin, të nisin procesin e identifikimit dhe publikimit të dokumenteve qeveritare që lidhen me objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO) dhe format e mundshme të jetës jashtëtokësore.
Sipas Trump ekziston “interes i jashtëzakonshëm” publik për këtë temë, e cila prej dekadash ka nxitur debat dhe teori të shumta. Në postimin e tij, Trump theksoi se të gjitha informacionet që lidhen me këto çështje jashtëzakonisht komplekse, por jashtëzakonisht interesante dhe të rëndësishme” do të bëhen publike, duke premtuar transparencë të plotë mbi dokumentet përkatëse.
“Nisur nga interesi i jashtëzakonshëm i treguar, do të udhëzoj Sekretarin e Luftës dhe departamentet e tjera përkatëse që të fillojnë procesin e identifikimit dhe publikimit të dosjeve qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO)”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Vendimi duket se vjen pas rritjes së vëmendjes publike, të nxitur nga komentet e ish-presidentit Barack Obama, i cili në një podcast deklaroi se alienët “mund të jenë realë”, por sqaroi se nuk kishte parë personalisht prova dhe se nuk ekzistojnë objekte sekrete qeveritare ku mbahen të tillë.
