Një i ri është arrestuar nga policia italiane pas dyshimeve për përfshirjen e tij në një garë të paligjshme me kuaj, e zhvilluar pak javë më parë në Palagonia, në zonën e Catanias.

Ngjarja ka ndodhur në një rrugë publike, ku gara është shoqëruar me praninë e personave të armatosur dhe të shtëna në ajër. Pamjet e shpërndara së fundmi në rrjetet sociale kanë dokumentuar momentet kur kuajt vrapojnë në rrugë, ndërsa disa persona me motoçikleta i ndjekin dhe qëllojnë me armë.

Sipas hetimeve të autoriteteve, një prej armëve të përdorura dyshohet të ketë qenë një kallashnikov.

I arrestuari akuzohet për posedim të paligjshëm të armës, ndërsa ndaj tij janë ngritur dyshime edhe për lidhje me klanin mafioz Cappello-Bonaccorsi.

Hetimet vijojnë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në organizimin dhe zhvillimin e garës së paligjshme.