Filmi i ri i Christopher Nolan, “Odisea”, po shënon një sukses të madh në kinematë botërore, por adhuruesit e regjisorit britanik do të duhet të presin përpara se të shohin projektin e tij të radhës.

Nolan ka bërë të ditur se do të kalojnë të paktën tre vite deri në debutimin e një filmi të ri të tij. Në një intervistë për emisionin “Today” të NBC-së, regjisori u pyet për ritmin e tij të punës, duke qenë se në dekadën e fundit ka sjellë një film të ri pothuajse çdo tre vjet.

Pas “Interstellar” në vitin 2014, Nolan publikoi “Dunkirk” në 2017, “Tenet” në 2020 dhe “Oppenheimer” në 2023, duke ndjekur një cikël të rregullt prodhimi. Megjithatë, ai ka pranuar se projekti i ardhshëm do të kërkojë një periudhë të gjatë përgatitjeje.

Regjisori e ka cilësuar adaptimin e poemës së lashtë të Homerit si një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, pasi për “Odisea” ai është përfshirë si skenarist, regjisor dhe producent.

“Kam arritur kufijtë e qëndrueshmërisë sime dhe mendoj se edhe të gjithë të tjerëve. Është ‘Odisea’; nëse nuk duket e vështirë, atëherë nuk po e bëjmë siç duhet”, u shpreh Nolan.

“Odisea” është një nga projektet më ambicioze të tij, ku regjisori ka ndërthurur stilin karakteristik kinematografik me një prej tregimeve më të rëndësishme të letërsisë antike.

Për herë të parë në histori, Nolan e ka xhiruar të gjithë filmin në formatin IMAX 70 milimetër, një zgjedhje që sipas tij ishte e përshtatshme për madhështinë e historisë së Homerit.

“Shkova në IMAX dhe thashë: Nëse ndonjëherë do ta përmbushnim ëndrrën për ta xhiruar të gjithë filmin në këtë mënyrë, ky është ai. Ky është ‘Odisea’”, ka deklaruar regjisori.

Filmi ka nisur të korrë rezultate të forta në arkë dhe pritet të kalojë 257 milionë dollarë fitime në mbarë botën, duke shënuar hapjen më të mirë globale të Nolan që nga “The Dark Knight Rises” në vitin 2012.

Në kastin e “Odisea” janë disa nga emrat më të njohur të kinemasë, mes tyre Matt Damon, Anne Hathaway, Lupita Nyong’o, Robert Pattinson, Tom Holland, Zendaya dhe Charlize Theron.