Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot se presidentët e Rusisë dhe Ukrainës, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, nuk janë ende të gatshëm për një takim ballë për ballë.
Pas bisedave telefonike të ndara me të dy liderët, Erdogan tha se, ndonëse ka një qasje pozitive nga të dyja palët, momenti nuk është i përshtatshëm për një samit të nivelit të lartë.
“Kemi folur me presidentin ukrainas dhe diskutuam për qëndrimin e tij ndaj Putinit. Po ashtu, patëm mundësinë të rishikonim rezultatet e samitit të Alaskës. Vura re një qasje pozitive si nga Zelensky, ashtu edhe nga Putini,” tha Erdogan për gazetarët gjatë kthimit nga Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO).
Ai shtoi se ka propozuar që procesi i bisedimeve të Stambollit të rifillojë në Turqi, por sipas tij, palët ende nuk janë të gatshme.
Ndërkohë, disa ditë më parë, edhe presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk beson që një takim mes Putinit dhe Zelenskyt do të ndodhë shpejt, por shprehu bindjen se mund të organizohet një takim trepalësh me pjesëmarrjen e tij.
