Elif Eralp, drejtuese e grupit parlamentar të Partisë së Majtë (Die Linke) në Berlin dhe kandidate e mundshme për kryetare bashkie, ka shprehur shqetësime për sigurinë e saj dhe të familjes, për shkak të lidhjeve të pretenduara të disa drejtuesve të partisë me grupe radikale palestineze dhe qarqe të krimit të organizuar.
Sipas revistës gjermane “Der Spiegel”, shqetësimet u bënë publike pasi, në një email të dërguar gabimisht bashkë me përgjigjet për intervistën, ishte përfshirë edhe një shënim i Eralp, me sa duket i destinuar për kolegët e saj.
Në të, politikania shprehej se nuk dëshironte t’u përgjigjej pyetjeve për lidhjet e drejtuesve të partisë me qarqe antisemite dhe kriminale, pasi kishte frikë për sigurinë e saj dhe të familjes.
“Nuk mund ta vë veten dhe familjen time në rrezik për hir të Spiegel”, shkruante Eralp në shënim. Ajo shtonte se as vetë dhe as bashkëshorti i saj nuk dëshironin të përmendeshin emra, duke theksuar se edhe ai kishte frikë nga këta persona.
Në intervistën e publikuar më pas, Eralp u pyet për antisemitizmin brenda partisë së saj dhe për qëndrimet e disa anëtarëve ndaj Izraelit. Ajo tha se njihte kolegë të angazhuar për çështjen palestineze, por nuk kishte menduar se fushata politike mund të çonte në shkelje gjatë aktiviteteve të veçanta.
Kur u pyet konkretisht për politikanin Ibrahim Ibrahim, Eralp nuk dha përgjigje, duke preferuar të përqendrohej te çështjet e strehimit dhe planet për shpronësimin e kompanive të pasurive të paluajtshme, me synimin për t’i vënë apartamentet në dispozicion të banorëve.
Megjithatë, ajo deklaroi se do të vepronte me vendosmëri kundër çdo forme të krimit të organizuar, dhunës dhe terrorizmit.
“Askush nuk do të më frikësojë”, u shpreh Eralp, duke shtuar se shqetësimi për sigurinë e familjes është normal dhe i kuptueshëm.
Politikania po përpiqet aktualisht të formojë një koalicion në Berlin me të Gjelbrit dhe Partinë Socialdemokrate (SPD). Ndërkohë, Partia e Majtë është përballur me kritika për qëndrimet e disa anëtarëve të saj ndaj Izraelit dhe për lidhjet e pretenduara me grupe radikale palestineze.
Sipas raportimit të “Der Spiegel”, në aktivitetet e partisë kanë marrë pjesë edhe persona të lidhur me bandën Remo, si dhe Ibrahim Ibrahim, i cili raportohet se mbështet Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP), organizatë e klasifikuar si terroriste nga Bashkimi Evropian.
Top Channel
